Procesi i votimit ka nisur edhe në bashkinë e Tepelenës, pas disa vonesave për shkak të mungesave të anëtarëve të Partisë Demokratike në komisionet e qendrave të votimit. Risia e këtyre zgjedhjeve në Tepelenë është përdorimi për herë të parë i Inteligjencës Artificiale (AI) në procesin e numërimit të votave.
Ky aplikim do të ketë karakter eksperimental dhe rezultatet e dalë nga AI nuk do të kenë vlerë zyrtare, por do të shërbejnë për të testuar efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë mënyrë, në Tepelenë po zhvillohen dy procese, njëri tradicional, nga komisionet, dhe tjetri i automatizuar, nëpërmjet teknologjisë së inteligjencës artificiale.
Në garën për kryebashkiak të Tepelenës janë Gramoz Sako, kandidat i Partisë Socialiste, dhe Gabriel Guma, i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike. Tepelena shkoi në zgjedhje, pasi kryebashkiaku Tërmet Peçi u zgjodh deputet. Në Tepelenë, PS ka propozuar kandidatin Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma.









