Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të premten një ligj të posaçëm për shembjen e godinës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit, për t’i hapur rrugën ndërtimit të një hoteli luksoz nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.
Ligji u miratua pas një debati në të cilin deputetët e opozitës kujtuan rëndësinë e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm si një pikë referimi moderniste. Ndërtesa u bombardua nga forcat ajrore të NATO-s në vitin 1999 dhe pjesa më e madhe e saj nuk është rindërtuar. Organizatat ndërkombëtare si Europa Nostra kanë shprehur kundërshtimin ndaj planeve të supozuara për t’ia dorëzuar kompleksin dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump për ta shndërruar atë në hotel.
Debati përfshiu shkëmbime të nxehta dhe akuza kundër autorit të tij, arkitektit Nikola Dobroviç, i cili e projektoi kompleksin gjatë sundimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore.
Projektligji u paraqit nga Partia Progresive Serbe (SNS), në pushtet. Ai thotë se projekti që do të pasojë është me rëndësi të përgjithshme dhe udhëzon të gjithë zyrtarët publikë që të marrin të gjitha masat për t’u siguruar që ai të realizohet në kohë, përfshirë shpronësimin e pronës. Ligji përfshin një dispozitë që garanton lëshimin e shpejtë të lejeve për projektin, i cili do të financohet nga buxheti dhe burime të tjera.









