PARALAJMERIMI/ Rusia është një kërcënim afatgjatë – Shefi i NATO-s, Rutte bën thirrje: Industria e mbrojtjes duhet të përparojë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar këtë të enjte se kërcënimi që paraqet Rusia nuk do të përfundojë me Ukrainën dhe se Moska po përgatitet me kundërshtarë të tjerë për një “konfrontim afatgjatë”.

Duke folur në Forumin NATO-Industri në Bukuresht, Mark Rutte i tha sektorit industrial të aleancës se angazhimi i vendeve anëtare për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035 është “ajo që na duhet për të qëndruar të sigurt”.

Sakaq, Rutte u tha pjesëmarrësve se “kërcënimet me të cilat përballemi janë reale dhe afatgjata” dhe se, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia ishte “shembulli më i dukshëm”, kërcënimi me të cilin përballet aleanca është më afatgjatë.

“Rreziku që paraqet Rusia nuk do të mbarojë kur të mbarojë kjo luftë. Në të ardhmen, Rusia do të mbetet një forcë destabilizuese në Evropë dhe në botë”, tha ai.

Por, shefi i NATO-s paralajmëroi gjithashtu se Moska “nuk është e vetme në përpjekjet e saj për të minuar rregullat globale”.

“Po punon me Kinën, Korenë e Veriut, Iranin dhe të tjerë. Ata po e rrisin bashkëpunimin e tyre industrial të mbrojtjes në nivele të larë. Ata po përgatiten për konfrontim afatgjatë”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Rutte i bëri thirrje industrisë të “përparojë” në mënyrë që Aleanca e Atlantikut të Veriut të mund të “ia kalojë armëve, të prodhojë dhe të jetë më e zgjuar se ata që kërkojnë të na dëmtojnë ose të na dobësojnë”.

Ai tha se sasia është thelbësore dhe se vendet e NATO-s duhet të prodhojnë pajisje në sasi të mëdha. Sa i përket prodhimit të municioneve, Rutte tha se situata tashmë kishte ndryshuar.

“Deri kohët e fundit, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më”, tha Rutte.