RREFIMI/ Drejtoi SPAK-un për 3 vite! – Cilat janë pengjet e Altin Dumanit? – Flet kreu i Prokurorisë së Posaçme

Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë për emisionin “Trialog” me Alba Alishanin, është pyetur se cili është pengu i tij në tre vite që drejton Prokurorinë e Posaçme. Altin Dumani tha se disa situata mund t’i kishte menaxhuar më mirë por refuzoi të tregojnë pengjet e tij.

Sakaq, Altin Dumani, tha se edhe nëse do të kthente kohën pas, do të rikandidonte sërish për vetëm një mandat në drejtimin e SPAK, por jo një të dytë. Altin Dumani tha se drejtimi i SPAK është arritja më e madhe në karrierën e tij.

Pyetje: A mund të konsideroni publikisht një prej pengjeve të prealizuara nëse keni një të tillë nën drejtim të SPAK?

Altin Dumani: Pengje, nuk do thoja pengje, por patjetër sa herë i kthehem punës sime, ndoshta disa situata, jo vetëm me hetimin, mund t’i kisha menaxhuar më mirë.

Pyetje: A dini të më thoni një të tillë?

Altin Dumani: Nuk mund t’ua them, por përgjithësisht jam përkushtuar me mish dhe me shpirt në ushtrimin e funksionit. Pata privilegjin të isha drejtues i Prokurorisë së Posaçme. Unë e quaj si arritjen më të madhe të karrierës sime.

Në të njëjtën kohë, siç e konsideroj privilegj, isha i vetëdijshëm për detyrimin që kisha për tu angazhuar 100 për qind, ditë natë në drejtimin e institucionit. Nëse kthehem pas, po, do rikandidoja vetëm për një mandat, por jo për një mandat të dytë.