Ambasada e Shqiperise ne Serbi
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi ka njoftuar se me rastin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, ish-kryeministrit, udhëheqësit dhe politikanit të shquar, në ambientet e Ambasadës do të hapet Libri i Ngushëllimeve.
Libri do të jetë i hapur për qytetarët dhe miqtë që dëshirojnë të shprehin ngushëllimet e tyre më 3 dhe 4 nëntor 2025, në oraret: 10:00–12:00 dhe 14:00–16:00.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos dhe nderon kontributin e tij të vyer në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
“Ambasada e Shqipërisë në Serbi , informon se, me rastin e ndarjes nga jeta të Z. Fatos Nano, ish-Kryeministër i Shqipërisë, udhëheqës dhe politikan i shquar, në ambientet e Ambasadës do të hapet Libri i Ngushëllimeve më 3 dhe 4 nëntor 2025 në oraret: 10:00-12:00 dhe 14:00-16:00”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Një ditë më parë, miq, qytetarë, kolegë, familjarë, i dhanë lamtumirën e fundit arkitektit të Partisë Socialiste, ish-kryeministrit, Fatos Nano.
Pas përfundimit të homazheve publike, arkëmorti me trupin e ish-kryeministrit Nano u nis drejt banesës së fundit. Ceremoniali shtetëror nisi në ambientet e Pallatit të Kongreseve rreth orës 08:30 të së dielës, ku qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të jetës publike i dhanë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të pasviteve ’90.
Pas ceremonisë shtetërore, arkëmorti i Fatos Nanos u vendos në shtratin e një topi, duke i dhënë ish-kryeministrit një përcjellje të fundit si personalitet i lartë shtetëror, që ka shërbyer për vendin në postin më të lartë të qeverisjes. Më pas përshkoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para se të mbërrinte në varrezat e Sharës ku dhe do të prehet përgjithmonë.
Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë pasditen e së premtes, 31 tetor 2025. Ish-kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa ditët e fundit, 73-vjeçarit iu vështirësua frymëmarrja dhe pasditen e së premtes zemra e tij bëri rrahjen e fundit.









