Bertil Alliaj, i riu i cili dyshohet se vrau mbrëmjen e së shtunës kushëririn e tij 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë. Burime për mediat bëjnë me dije se arrestimi i Alliajt u bë pak pas mesnatës në zonën malore të Gjormit, aty ku dhe ishte fshehur pas ngjarjes.
Bertil Alliaj i cili rezultoi të ishte dhe djali i xhaxhait të Dala Alliaj, e qëlloi këtë të fundit me 6 plumba. Si rrjedhojë 36-vjeçari nuk mundi që t’i shpëtonte plagëve të marra dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.
Autori i kësaj ngjarje nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai është me “emër” për “Masakrën e Coles” në vitin 2015, ku pas një sherri në kazino mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ndërsa policia arrestoi disa persona në lidhje me krimin.
Që prej asokohe ai ka qenë në kërkim nga policia, ndërkohë lidhur me ngjarjen e djeshme deri më tani nuk dihet se çfarë motivi e ka shtyrë për t’i marrë jetën kushëririt të tij.
Ishin familjarët ata që e gjetën 36-vjeçarin pa shenja jete, e më u transportua në spitalin e Vlorës, por për fat të keq u konfirmua i vdekur.
Siç raportuam dhe më herët në trupin e të riut u gjetën 6 plumba, ku njëri prej tyre i kishte prekur zemrën. Ende nuk dihen rrethanat, ndërsa thuhet se i riu nga Levani kishte shkuar në Gjorm, te djali i xhaxhait të tij.









