Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot se përmirësimi i bilancit të jashtëm të ekonomisë ka qenë përcaktues në tendencën e forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.
Në raportimin e tij vjetor para Kuvendit, Guvernatori u shpreh se pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.
“Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove. Po ashtu, remitancat arritën 1 miliard euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliard euro. Në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar përmirësim gjatë tre viteve të fundit, duke regjistruar minimume të deficitit të llogarisë korrente dhe duke u pasqyruar në trendin forcues të kursit të këmbimit. Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.6% të PBB-së, ndërsa rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë kanë arritur pranë nivelit të 7 miliardë eurove, duke ofruar një garanci të rritur për stabilitetin financiar të vendit,” tha Sejko.
Kursi mesatar i këmbimit euro-lek pësoi rënie për të katërtin vit radhazi dhe preku një minimum të ri historik për vitin 2024. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 100.71 lekë, në rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023.
Sejko vuri në dukje gjithashtu se pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së, për fundin e vitit 2024.









