E PAZAKONTE/ Pa numrat për formimin e Qeverisë së re – Albin Kurti miraton buxhetin për vitin 2026 – vlera kap shifrën 4 miliardë euro

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka miratuar buxhetin për vitin 2026 të premten, i cili kap një shifër rekord prej rreth 4 miliardë euro. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se buxheti i ri parasheh rreth 1 miliard euro investime kapitale.

“Me këtë buxhet do të ketë pagë të 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë për 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune në sektorin publik”, tha Kurti.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti i ri është 10 për qind më i lartë se ai paraprak. Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria në detyrë gjithashtu e rriti pensionin minimal nga 120 në 150 euro, si dhe shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç për 50 për qind.

“Rreth 200.000 pensionistë dhe mbi 400.000 fëmijë do të përfitojnë nga këto rritje qysh nga 1 nëntori,” tha Kurti.

Miratimi i projektligjit për buxhetin vjen disa orë para një takimi mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe udhëheqësve të partive parlamentare. Gati nëntë muaj pas zgjedhjeve, Kosova mezi e bëri Kuvendin e ri në shtator, por vazhon të dështojë të ketë qeveri të re. Partitë nuk kanë shprehur gatishmëri për të bashkëqeverisur dhe kështu janë rritur shanset që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.