Gjyqtarja Irena Gjoka ka vendosur që të mos pranojë kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu lidhur me mos prezencën në seancë të familjarëve të viktimave të “Gërdecit”.
Mediu kërkoi që të gjykohet pa praninë e familjarëve të viktimave. Ndonëse të drejtën e tyre për të qenë pjesë në proces e ka njohur edhe Gjykata e Strasburgut, ish-ministri dhe mbrojtja e tij kërkuan largimin nga salla të familjarëve me pretendimet se avokati i tyre paguhet nga “Soros”.
Gjithashtu mësohet se gjyqtarja vendosi që të rrëzonte edhe kërkesën tjetër të Mediut paraqitjen e 9 dëshmive nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Seanca e radhës pritet të mbahet më 11 nëntor, ndërkohë që këto vendime sollën dhe revoltë te ish-ministri.
Në një deklaratë për mediat, Mediu deklaroi se procesi gjyqësor ndaj tij është i organizuar politikisht dhe nuk ka lidhje me akuzat që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes. Ai u shpreh se gjithë zinxhiri i veprimeve, nga hapja e çështjes në mënyrë të paligjshme deri te trajtimi në Strasburg, është pjesë e një skenari të ndërtuar për interesa të caktuara politike.
Sipas Mediut, gjykata po vepron në përputhje me kërkesat e prokurorisë dhe ka injoruar çdo kërkesë të mbrojtjes. Ai theksoi se ekzistojnë dokumente që rrëzojnë akuzat, por që nuk janë marrë në konsideratë, duke e cilësuar procesin si një histori të qartë politike dhe të paligjshme.
“Dua të theksoj që kjo tashmë kjo që po ndodh jemi përballë një fakti të një gjyqi popullor të organizuar politikisht që nuk ka lidhje me akuzën për ministrinë e Mbrojtjtes. Po ta shikoni gjithë zinxhirin e marrëdhënies, që hapi çështje në mënyrë të kundraligjshme, po ashtu krijoi opinionin publik me paratë e fondacionit Soros, deri te gjykata e Strasburgut, gjërat janë të lidhura me njëra tjetrën për të bërë atë që është interesi i disa grupeve politike të caktuara në Shqipëri. U diktua në këtë proces pas një vendimi të Gjykatës së shkallës së parë për mos hapjen e çështjes një vendim abuziv dhe edhe pse ka një vendim të Gjykatës së lartë unifkues nuk ka asnjë qëndrim sa i përket kësaj çështje as ndaj SPAK.
Për të vazhduar me këtë proces që çdo kërkesë e jona për të fituar të drejtën tonë si palë e akuzuar është injoruar në mënyrë permanent, nuk ka asnjë kërkesë e jona që është pranuar nga gjykata. Gjykata bën atë që kërkon prokuroria. Ndërkohë që e thashë edhe në seancë vetë drejtues i SPAK ka marrë qëndrim ndaj çështje që është publike për arrestimin e Metës, ku tha që unë kam nxjerrë një urdhër, nuk kanë të bëjnë me ministrin, Por një fakt që do dalë sepse sipas kodit prokuroria ka detyrë të sjellë provat edhe kundër edhe në mbështetje,. Janë 45 dokumente që hedhin poshtë ato që thotë prokuroria. Kjo është një histori e qartë politike, e cila është ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Dhe ne kemi kërkuar që të ketë një reflektim nga ana e gjyqtares nuk e shohim këtë reflektim”, tha Mediu.









