“PAKETA E MALEVE”/ Zhvillimi i ekonomisë malore – qeveria miraton zonat prioritare për 4 bashki

Këshilli i Ministrave ka miratuar zonat prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në disa bashki të vendit.

Në kuadër të ligjit për Paketën e Maleve në mbledhjen e sotme janë miratuar hartat në bashkitë Belsh, Përmet, Skrapar dhe Elbasan.

Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryebashkiakët e vendit lidhur me paktën e maleve.

Rama nuk i kurseu kritikat për një pjesë të madhe të tyre pasi nuk kishin dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave hartën me zonat e përzgjedhura si prioritare për zhvillim, në bashkitë përkatëse.

Ai u kërkoi drejtuesve vendorë të dërgojnë hartat me zonat përkatëse, për të mundësuar nisjen e projekteve ku u vendosi si ultimatum datën 31 tetor të këtij viti.

“Paketa e maleve i jep mundësinë çdo pronari të toke të vijë në bashki dhe të kërkojë ndërtimin e një agroturizmi apo ferme. Kjo paketë është bërë për të ndihmuar ata që duan të investojnë në tokën e të parëve, por nuk kanë dokumentacionin përfundimtar. Nëse toka nuk është në territor të kontestuar, personi mund t’i drejtohet ministrisë përkatëse me projektin dhe merr një kontratë me vlerë simbolike – një euro – për ta zhvilluar,” tha Rama.