KUNDER-PERGJIGJA/ Abdixhiku i LDK përgjigjet Kurtit: Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin dhe mashtron, nuk i kupton parimet e fjalën e dhënë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë një konference për media tha se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte synuar të formonte koalicion vetëm me LDK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Kurti deklaroi se kishte besuar në mundësinë e bashkëpunimit me udhëheqjen e re të LDK-së, duke kujtuar se Abdixhiku kishte qenë ministër në qeverinë e tij të parë.

“Unë kam pasur takime dhe kam synuar takime vetëm me Lidhjen Demokratike dhe me Nismën Socialdemokrate. Kam besuar që me udhëheqjen e re të LDK-së ne mund të bëjmë një koalicion. Kryetari i ri i LDK-së në vitin 2021 është uruar prej meje. Ai ka qenë ministër i imi dhe unë kam besuar që mund të bashkëpunojë. Në anën tjetër, partia tjetër që kam synuar të bëjë koalicion udhëhiqet nga z. Limaj. Ajo doli nga AAK-ja dhe me këto të dyja kam synuar. Nuk kam synuar me të tjerat”, tha Kurti, duke e quajtur sjelljen e LDK-së pas zgjedhjeve “të pakuptimtë”.

Pas kësaj deklarate, Abdixhiku reagoi përmes një postimi në rrjete sociale, duke thënë se Kurti nuk i kupton parimet dhe fjalën e dhënë, teksa e akuzoi për bllokim të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe përçarje të shoqërisë.

Sipas tij, bëhet fjalë për “një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkelë Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rritë familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë dhe mbron të korruptuarit partiak veçse janë të tij; një njeri që vetëm ofendon e përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politik, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet dhe na e humb të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin e afrimin si akt patriotik; dhe një njeri që ndryshon pa mëdyshje secilin premtim publik”.

Abdixhiku shtoi se një njeri i tillë “nuk e kupton çka do të thotë parimi i drejtë në jetë, as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë”.

“LDK-në mund ta sulmoni dhe ta ofendoni, por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vie rendi për më shumë. LDK po ecën drejt, në rrugën e vet, për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, theksoi Abdixhiku.

Në fund të reagimit të tij, kreu i LDK-së e përmbylli me mesazhin.

LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”.

Postimi i Lumir Abdixhikut:

Jam i bindur se parimet nuk i kupton.
Fjalën e dhënë edhe më pak.

Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë e i mbron të korruptuarit partiakë veç se janë të tij; një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politikë, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbë të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot; një njeri që ndryshon pa mërzi secilin premtim publik;

  • një njeri i tillë, natyrisht se nuk e kupton se çka do të thotë parimi i drejtë në jetë.

S’e kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë. Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë.

Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton.
Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens.

LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet.

Zot politik, kjo LDK, ka vetëm elektoratin e vet dhe koha e LDK-së nuk ndërtohet në prehërin e askujt. LDK-ja e ka shtratin e vet; lumi i saj rrjedh fort gjithherë. Sepse ishim, jemi dhe do të mbesim të vërtetë. Krenarë e faqebardhë dhe me besim të fortë në të ardhmen e popullit tonë.

Gjërat vijnë e shkojnë; një gjë s’ndryshon kurrë.
LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! ✌️
Dritë do të ketë!