VENDIMI/ Kërkuan heqjen e sekuestros për pasuritë – GJKKO refuzon Argita dhe Jamarbër Malltezin

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së sekuestros për pasuritë.

Ndërsa dosja “Partizani” është në proces gjyqësor, vajza dhe dhëndri i kreut të Partisë Demokratike, ish-kryeministrit Sali Berisha, kërkuan lirimin e 25 pasurive të sekuestruara nga SPAK prej dy vitesh.

Ata depozituan kërkesë në GJKKO për këtë çështje, por togat e zeza e rrëzuan.

Në muajin mars ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.

Gjykata ka vendosur të mos e zbresë në seancë plenare çështjen, duke lënë kështu të ngrira 16 pasuri të paluajtshme, gjashtë llogari në emër të Malltezit dhe aksionet e shoqërisë Home Plan.

Më herët kishte qenë Gjykata e Lartë dhe Apeli i GJKKO që kishin lënë të pandryshuar vendimin.

Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.

Përveç apartamenteve dhe një vile, janë sekuestruar ndër të tjera dhe tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.