Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk ia doli që të siguronte shumicën prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës. Si rrjedhojë mesditën e kësaj të diele ka dështuar dhe seanca për krijimin e qeverisë së re.
Në votimin e sotëm, kabineti i propozuar nga Kurti mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, çka nuk mjaftoi për t’u miratuar. Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se për formimin e qeverisë nevojitet shumica prej 61 votash, ndaj procesi u bllokua në këtë pikë.
Pas këtij zhvillimi, presidentja Vjosa Osmani pritet që brenda dhjetë ditëve të nisë konsultimet me partitë parlamentare për të parë nëse ekziston një shumicë tjetër e mundshme për formimin e qeverisë.
Ajo do të duhet të ngarkojë një kandidat të ri për formimin e qeverisë, të dytin më të votuar në zgjedhjet parlamentare, por nëse as përpjekja e dytë nuk sjell miratimin e qeverisë nga Kuvendi, atëherë presidentja Osmani do të shpallë zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga shpallja e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit kishte “varur” shpresat në arritjen e një marrëveshjeje me subjektet e tjera politike, por pas gjashtë muajsh nga zgjedhjet, nuk arriti të binte dakord me asnjërën prej tyre.
Pak pas përfundimit të seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se këtë të diel u vërtetua që “Albin Kurti po e mban vendin peng”.
“Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit tonë këta muaj i ka kushtuar edhe me izolimin, edhe me përçarje, edhe me humbje kohe. Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Nuk do të jetë më”, tha ia duke shtuar më tej se qeveria e re pa Kurtin do të jetë më e mirë për Kosovën.
Krasniqi ka thënë se nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta thërrasë për ta pyetur nëse e ka shumicën për Qeverinë e re, ai do t’i thotë thjesht “jo”, sepse nuk duhet pasur më shumë vonesa dhe që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Çfarë ndodhi sot:
-Albin Kurti prezantoi emrat e ministrave me të cilët do të shkonte në mandatin e tretë.
- Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.
-Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.
- Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhje e reja.
- Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.
Pak para votimit, vetë Kurti zbuloi planin e tij për të investuar 1 miliardë euro në mbrojtje, gjatë mandatit të ardhshëm, duke e arsyetuar këtë me zhvillimet e pasigurta ndërkombëtare.
Ai paralajmëroi zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës, ngritjen e një fabrike të municioneve dhe dronëve, si dhe shtimin e numrit të ushtarëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Madje ai prezantoi edhe kabinetin me të cilin do të fillonte punën për mandatin e tretë:
Zv.kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës: Glauk Konjufca
Zv.kryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla
Zv.kryeministër i tretë për Ccështjet e Pakicave dhe Bashkëpunim: Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë: Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqënie Sociale: Andin Hoti
Ministëri Mbrojtjes: Ejup Maqedonsi
Ministër i Punëve teë Brendshme: Xhelal Zveccla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit: Lulzon Jazxhiu
Ministër i Shëndetësisë-Arben Vitia
Ministër i Arsimit: Avni Zogiani
Minsitër i Kulturës dhe Turizmit:Fatmir Spahiu
Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani
Ministër i Adminstrimit të Pushtetit Lokal: Rasim Demiri
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli
Ministër i Bujqsisë, Pulltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha
Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane: Mimoza Kusari
Ministre e Energjisë dhe Minierave: Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal: Sejnur Veshall









