Ditën e premte, ndërsa Tirana po ziente për lajmin se Belinda Balluku ishte marrë nën hetim nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera”, zv/kryeministrja postoi një video për të treguar se ndodhej në Zvicër. Balluku tha se qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e transportit hekurudhor dhe shkëmbimi i eksperiencave me hekurudhën zvicerane.
Sakaq, ditën e sotme Balluku është kthyer në Shqipëri, ku inspektoi punimet për projektin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar që ka në fokus mirëmbajtjen estetike të akseve rrugore në të gjithë vendin.
Me kthimin në Shqipëri, është mister nëse zëvendëskryeministrja do të paraqitet ditën e hënë në SPAK.
Sakaq, këtë çështje e ka komentuar sot edhe kryeministri Edi Rama.
Ndërsa ishte në Berlin, ai u pyet nga Deutsche Welle mbi hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndaj numrit dy të qeverisë së tij, zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet,” tha Rama në një intervistë për DW.
“Dhe deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës,” theksoi Rama.
SPAK tha dje përmes një zëdhënësi se “nuk ka asgjë për të ndarë me median”.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe kontrollon prej më shumë se pesë vitesh portofolin më të madh qeveritar.
Ajo është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që po përballet me SPAK pas Arben Ahmetajt.









