Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen me 9 nëntor.
I ftuar në MCN TV, Celibashi foli edhe lidhur me pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Bajram Begaj.
Ai është shprehur se zgjedhjet në kryeqytet nuk mund të zhvillohen më datë 9 nëntor pavarësisht vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Kjo sepse sipas tij për të zhvilluar procesin zgjedhor janë një sërë aspektesh.
“Zgjedhjet për kryetar të bashkisë Tiranë në 9 nëntor, në situatën aktuale juridike por edhe praktike nuk mund të zhvillohen, nëse do jetë rasti për kryetarin e bashkisë Tiranë, varësisht nga ajo që do vendosë Gjykata Kushtetuese nuk mund të bëhen në datë 9, por do bëhen në një datë tjetër.
Gjithçka lidhet me pamundësinë ligjore për të zhvilluar këtë proces se janë një sërë aspektesh të procesit zgjedhor, administrues të zgjedhjeve, regjistrimi i subjekteve zgjedhore, kandidatëve, miratimi i listës së zgjedhësve, për të mos folur dhe për aspektin logjistik.
Kjo është situatë e paparë më parë, kush duhet të jetë roli i gjithë institucioneve në rast një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese. Duhet të presim vendimin e gjykatës, duhet të prezumojmë se do ketë qartësinë për çfarë do ndodhë më pas dhe institucionet do të shohin ka diçka për të bërë apo jo”, tha Celibashi.









