Kalimi i Manjola Nikollos nga demokrate, në nënkryetare e Bashkisë së Sarandës, e cila drejtohet nga socialisti Oltion Çaçi, ka nxjerrë në pah konfliktet e brendshme brenda strukturave të PD-së që prej kohësh gëlojnë në mesin e anëtarëve.
Në një intervistë, Nikollo tregon se largimi i saj nga Partia Demokratike, por jo nga e djathta apo opozita, erdhi pas dështimit, sipas saj, të procesit të primareve. Këtë ajo ia faturon deputetes sot, Ina Zhupës, për të cilën thotë se arriti të ndikonte në anëtarësi, si dhe arriti të manipulonte procesin e votimit.
Manjola Nikollo shprehet se pas dorëheqjes dhe nga drejtimi i strukturës së PD-së në Sarandë, ajo u përjashtua menjëherë nga çdo grup dhe nuk njoftohej më për asnjë mbledhje apo organizim të partisë.
Ish-anëtarja e PD-së i kërkon të gjithë demokratëve të kenë besim tek ajo dhe se nuk është bërë pjesë e Bashkisë së Sarandës për përfitime politike nga pala tjetër, por për të çuar deri në fund interesat e qytetarëve.
“Të gjithë ju që keni qenë bashkudhëtaret e mi, i dini mirë këto problematikat dhe përplasjet e brendshme që lindën në degën tonë. Përplasjet që u bënë për primaret për deputet për qarkun e Vlorës, i cili u kontestua nga unë dhe disa demokratë në heshtje, pasi pati orientim të votës drejt zonjës Zhupa.
Zonja Zhupa arriti të përdorë ndikimin e saj tek anëtarët e PD-së dhe kjo prishi balancën në këtë proces. Pati ndërhyrje siç ishte rasti i Konispolit, i cili doli i pavlefshëm, apo mosdhënia e listave të anëtarëve që kishin të drejtën e votës.
Duke qenë se unë nuk isha më kryetare e PD-së, për shkak se dhashë dorëheqje për shkak të udhëzimit të dalë nga qendra për primaret, u mor kjo dorëheqje si përjashtim i Manjolës nga këto zgjedhje. Çuditërisht nuk njoftohesha më në asnjë mbledhje dhe asnjë takim të organizuar. Unë jam demokrate.
Manjola futet në atë bashki si demokrate. Të gjithë më njohin shumë mirë dhe më etiketojnë si Manjola e PD-së. Ajo që iu premtoj demokratëve, veçanërisht për ata demkokratë që i kam zhgënjyer, ju lutem kini besim. Jam Manjola që ju keni votuar dhe mbështetur. Jam zëri juaj në atë bashki. Premtoj që do të dal me kokën lart nga ajo Bashki, ku do të mbroj interesat e qytetarëve. Jam këtu për të dhënë kontributin tim”, tha Manjola Nikolo.









