Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se ka biseduar me presidentin amerikan Donald Trump për mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk në Ukrainë, duke theksuar se çështja është ende në fazë shqyrtimi.
“Vladimir Putin po fiton pak terren në vijat e frontit të Ukrainës dhe qindra mijëra rusë po vdesin për agresionin e tij të mashtruar”, tha Rutte.
Ai shtoi: “Zhvillimet në fushën e betejës tregojnë se mbështetja jonë për Ukrainën po funksionon dhe ne duhet ta vazhdojmë atë.”
“Putinit po i mbarojnë paratë, trupat dhe idetë dhe Rusia duhet të ndalet aty ku është”, deklaroi Rutte.
“U takon Shteteve të Bashkuara të vendosin nëse do të dërgojnë apo jo raketat,” tha Rutte para liderëve të vendeve që janë pjesë e “Aleancës së të Gatshmëve”, grupi i shteteve që mbështesin ushtarakisht dhe politikisht Ukrainën.
Shefi i NATO-s shtoi se çdo vend vendos në mënyrë të pavarur se çfarë lloj armësh do t’i dorëzojë Ukrainës. Sipas tij, SHBA-të kanë ofruar dhe do të vazhdojnë të ofrojnë sisteme të ndryshme armatimi.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij duhet të gjejë mënyrën për të prodhuar vetë sisteme mbrojtëse kundërajrore.
Që prej fillimit të luftës me Rusinë, Kievi ka rritur ndjeshëm prodhimin e industrisë së mbrojtjes dhe aktualisht rreth 60% e armëve prodhohen brenda vendit. Megjithatë, Ukraina mbetet e varur nga Perëndimi për sa i përket sistemeve kundërajrore dhe raketave.
Në lidhje me të ashtuquajturin “Fond i Kompensimeve” për Ukrainën, që pritet të financohet nga pasuritë ruse të ngrira, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se “Aleanca e të Gatshmëve” duhet të arrijë një marrëveshje përfundimtare para Krishtlindjeve, “në mënyrë që të sigurohet financimi i nevojshëm për Kievin në vitet e ardhshme”.
“Jam e bindur se do ta arrijmë këtë… dhe pres një vendim para Krishtlindjeve,” tha Frederiksen.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer bëri thirrje për “veprim të shpejtë”, në mënyrë që pasuritë ruse të ngrira të përdoren sa më shpejt për të mbështetur financiarisht Ukrainën.









