SHANSI I FUNDIT I KURTIT/ Kuvendi i Kosovës mblidhet të dielën për votimin e Qeverisë së re

Të dielën e 26 tetorit në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë së re. Seanca pritet të fillojë në orën 10:00 ndërsa kanë mbetur edhe dy ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila konfirmoi se seanca e jashtëzakonshme do të zhvillohet të dielën dhe do të ketë një pikë të rendit të ditës atë të zgjedhjes së qeverisë.

“Po, kemi bërë kërkesë dhe tashmë është ftuar seanca e jashtëzakonshme për të dielën, ora 10:00 me një pikë të rendit të ditës, Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 tetor ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë mes partive politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.

Nëse LVV-ja nuk arrin t’i bëjë 61 vota, presidentja Osmani ka detyrën që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime për formimin e qeverinë. Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja, sipas Kushtetutës duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.