Policia angleze ka arrestuar një shqiptar, i cili shiste kokainë në zona të ndyshme të Anglisë. I arrestuari është Meltjan Isufi, 34 vjeç me origjinë shqiptare. Isufi kishte përdorur një dokument identiteti të rremë për të rihyrë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kishte qenë i dënuar më parë për vepra penale që lidhen me drogën.
Mediat e huaja shkruajnë se 34-vjeçari është burgosur për gjashtë vite, pasi krimet e tij u zbuluan pas një hetimi të gjatë policor.
Më 23 dhjetor të vitit 2024, policia arrestoi një person në Chester dhe pas një kontrolli në adresën e tij, gjeti një sasi të madhe kokaine. Në një nga pakot e kokainës u gjet ADN-ja e Isufit. Policia angleze ka sekuestruar telefonin e Meltjan Isufit, i cili tregoi se Isufi kishte një bazë klientësh prej mbi 800 personash.
“Isufi ishte dënuar tashmë për vepra penale që lidhen me drogën dhe ishte deportuar nga Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, ai zgjodhi të rihynte në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht duke përdorur një dokument identiteti të rremë për të lehtësuar furnizimin me drogë të paligjshme në Chester. Operacioni i tij ishte i sofistikuar dhe ai furnizonte drogë çdo ditë, por Isufi nënvlerësoi këmbënguljen dhe përkushtimin e oficerëve tanë.” tha Detektivi Richard Connolley.









