Pas javësh negociatash, opozita dhe mazhoranca kanë arritur një marrëveshje për përbërjen e komisionit që do të udhëheqë reformën zgjedhore.
Dakordësia synon të kënaqë palët kryesore politike, por gjithashtu të garantojë përfaqësim për partitë më të vogla në Kuvend.
Sipas ujdisë, Partia Socialiste do të mbajë shtatë nga tetë vendet që i takojnë shumicës, ndërsa një karrige do t’i kalojë Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Nga ana tjetër, opozita ka rënë dakord për ndarjen e vendeve si më poshtë: pesë për Partinë Demokratike, një për Partinë Republikane, një për Partinë e Lirisë dhe një për deputetin e pavarur Agron Shehaj.
Komisioni do të ketë formulën 8+8 dhe do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë me të drejtë vetoje, një nga mazhoranca dhe një nga opozita.
Krijimi i komisionit pritet të formalizohet në seancën plenare të 30 tetorit, duke hapur rrugën për nisjen e punës mbi ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor.









