VIDEO-DETAJE/ Grabitja në muzeun e Luvrit, publikohen pamje nga momentin i vjedhjes së stolive të çmuara nga koleksioni i Napoleonit dhe perandoreshës Eugenia

Një grabitje spektakolare, që përngjan me skenë filmi, ndodhi sot në Muzeun e Luvrit në Paris, ku u vodhën nëntë bizhuteri të rralla dhe historike nga koleksioni i Napoleonit dhe perandoreshës Eugenia.

Sipas gazetës Le Parisien, grabitësit ishin tre persona. Ata mbërritën në muze me dy motorë, të maskuar me kapuçë dhe veshje pune, për të mos i dalluar kamerat. Hyrja në ndërtesë u bë nga ana e lumit Sena, në një zonë ku po zhvilloheshin punime restaurimi.

Me ndihmën e një vinçi ngritës, arritën të depërtojnë direkt në katin e parë, ku ndodhet Salla e famshme e Apollonit, vendi ku ruhen disa nga thesaret më të çmuara perandorake. Duke përdorur një sharrë elektrike (lloj zinxhir-sharre), ata thyen xhamat e vitrines dhe dy nga grabitësit hynë në muze, ndërsa i treti qëndroi jashtë si vrojtues.

Brenda muzeut, grabitësit u drejtuan menjëherë drejt Sallës së Napoleonit dhe Sallës së Sundimtarëve Francezë, ku ndodheshin objektet e synuara.

Ata arritën të marrin nëntë objekte të rralla dhe me vlerë të jashtëzakonshme, përfshirë: një set bizhuterish, një varëse qafe, një palë vathë, dy kurora mbretërore (përfshirë atë të perandoreshës Eugenia) dhe një karficë.

Sipas të dhënave të brendshme të muzeut, ndër objektet që nuk janë prekur është diamanti i famshëm “Régent”, një prej më të mëdhenjve në botë me mbi 140 karatë, që konsiderohet edhe si “diamanti i mallkuar”, për shkak të historisë tragjike të pronarëve të tij.

Gjatë hetimeve, autoritetet gjetën njërën nga kurorat e vjedhura jashtë ndërtesës së muzeut, kurorën e perandoreshës Eugenia, e cila ishte e dëmtuar.

Dyshohet se grabitësit e kanë braktisur gjatë arratisjes, ndoshta për shkak të kohës së kufizuar ose si pasojë e ndonjë problemi gjatë lëvizjes.

Kurora në fjalë konsiderohet një objekt muzeal i pakrahasueshëm, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga ai artistik.