PROPOZIMI/ Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit – Celibashi: Do testojmë numërimin e votave me IA

Inteligjenca Artificiale do të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Në tryezën me fokus tek mbikëqyrja e digjitalizimit në proceset zgjedhore, ku ishte i pranishëm edhe kreu i delegacionit të BE në vendin tonë, Silvio Gonzato, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se KQZ do të përdorë në mënyrë eksperimentale Inteligjencën Artificiale, në mbledhjen e të dhënave, numërimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultatit.

“Më 9 nëntor të këtij viti do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme për kryetarë të disa bashkive të vendit. Stafi i KQZ-së po punon për të aplikuar, për herë të parë, përdorimin e AI-së në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe në nxjerrjen e rezultateve. Ky projekt do të shërbejë si test dhe, për momentin, nuk do të zëvendësojë procedurën manuale të numërimit dhe vlerësimit të votave, e cila mbetet mënyra zyrtare e referimit”, u shpreh kreu i KQZ.