ATENTAT/ Vendoset bombë në makinën e gazetarit të Rai-t, Sigfrido Ranucci – dyshohet për shkak të detyrës

Makina e gazetarit të RAI-t, Sigfrido Ranucci ka shpërthyer mbrëmjen e së enjtes. Një bombë u vendos nën makinën e parkuar të gazetarit.

Nga shpërthimi janë dëmtuar një makinë tjetër e familjes dhe shtëpia ngjitur. Karabinierët, zjarrfikësit dhe ekspertët mjeko-ligjorë ishin në vendngjarje. Zyra e prokurorit kompetent ka filluar hetimet e nevojshme. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa mund të kishte vrarë këdo që kalonte në atë moment.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto ka reaguar lidhur me ngjarjen ndërsa theksoi se ky është një akt i papranueshmëm.

“Një akt shumë serioz, frikacak dhe i papranueshëm. Një bombë shpërtheu makinën e Sigfrido Ranucci-t përpara shtëpisë së tij. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua, por rëndësia ekstreme e këtij akti mbetet, duke prekur jo vetëm një gazetar, por edhe vetë lirinë për t’u informuar dhe për t’u shprehur. Solidariteti dhe afërsia ime e plotë me të dhe familjen e tij”, u shpreh Crosetto.