TRANSFERIMI I MUNDSHEM/ Nisin ofertat për Vlahoviç – Barcelona në bisedime me sulmuesin serb; e shohin si pasardhës të Lewandowskit

Dushan Vlahoviç mund të kthehet nga një prej dështimeve më të bujshme në Itali, në një yll të futbollit në Spanjë. Për sulmuesin serb, ka dalë në skenë një hipotezë shumë interesante për të vazhduar karrierën e tij pasi të largohet nga Juventusi.

Pas viteve vuajtje dhe gjithmonë nën kritika, Vlahoviç do të largohet në verën e viti të ardhshëm nga Torino. Dhe për të ka dalë në skenë mundësia që të transferohet te Barcelona. Edhe kjo e fundit mbyll kontratën me Robert Levandovskin teksa tashmë kërkon një qendërsulmues tipik më të ri në moshë për ta zëvendësuar.

“Tuttosport” bën të ditur se Deko dhe përfaqësues të tjerë të Barcelonës kanë kontaktuar grupin që menaxhon Vlahoviç, për të shqyrtuar mundësinë e transferimit këtë verë. Arsyeja pse serbi shihet me prioritet ka të bëjë me faktin se ai do të transferohet falas në verë dhe kjo është një alternativë që u pëlqen të dy palëve.

Barcelona nuk është klubi i vetëm në kontakt me të, pasi Vlahoviç ka zhvilluar biseda paraprake që në verë me Bajern Mynihun apo edhe me skuadra angleze, por në fund nuk u finalizua asgjë. Barcelona ndërkohë kishte shqyrtuar edhe pista të tjera për të zëvendësuar Levandovskin, por Haland dhe Alvarez, të cilët janë emrat e preferuar, kanë kosto të lartë.