MARREVESHJA/ Zhvillime të reja në Lindjen e Mesme – Hamasi kthen katër trupa të pajetë pengjesh në Izrael

Automjetet e Kryqit të Kuq transportojnë trupat e pengjeve të vdekura që mbaheshin në Gaza
Hamasi ka kthyer trupat e pajetë të katër pengjeve të tjera, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), ndërsa puna e identifikimit është duke u zhvilluar. Kryqi i Kuq i mblodhi eshtrat në arkivole dhe ia dorëzoi ato ushtrisë izraelite vonë natën e së martës, raporton BBC.

Transferimi erdhi pasi Izraeli paralajmëroi se do të kufizonte ndihmën në Gaza derisa Hamasi të kthente trupat e të 28 pengjeve të vdekur. Grupi i armatosur palestinez dorëzoi 20 pengje të gjallë dhe katër të vdekur të hënën. Ndërsa mbetjet mortore të 45 palestinezëve të vdekur që mbaheshin të mbajtur në Izrael u kthyen në Gaza të martën, tha Kryqi i Kuq në një deklaratë.

Katër trupat e pajetë të pengjeve të liruara nga Hamasi të hënën janë identifikuar nga Izraeli si Daniel Peretz, 22 vjeç; Yossi Sharabi, 53 vjeç; Guy Illouz, 26 vjeç dhe Bipin Joshi, 23 vjeç, një shtetas nepalez .

Zyra e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit tha se procesi i identifikimit të katër pengjeve të fundit ishte duke u zhvilluar. Plani i armëpushimit i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të cilin e pranuan si Izraeli ashtu edhe Hamasi, parashikonte që dorëzimi i të 48 pengjeve do të përfundonte deri në mesditën e së hënës.

Ndërkohë që të gjithë pengjet e gjalla u kthyen, presioni mbi Hamasin dhe qeverinë izraelite po rritet për mbetjet e 20 pengjeve që Hamasi ende nuk i ka riatdhesuar. Palestinezët janë gjithnjë e më të shqetësuar se një vonesë në kthimin e trupave nga Hamasi mund të sjellë pasiguri në të ardhmen e armëpushimit.