KONVENTA EKONOMIKE/ Deklarohet Von der Leyen: Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani! Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbajtur fjalën e saj në Forumin e Parë të Investimeve Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen u shpreh se ekonomitë e vendeve të BP janë të prirura të rriten me shpejtësi.

Ndërsa u bëri thirrje investuesve “mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi”. “Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, theksoi presidentja e KE.

Ursula von der Leyen: Është përparim jo vetëm në letër por edhe në realitet, dhe falë punës së madhe të udhëheqësve si ju Edi, e këmbëngulës së qytetarëve, ky ndryshim pon ndodh këtu. Ballkani Perëndimor është tashmë në mënyrë të konsoliduar në rrugëtimin e vet për t’u bërë pjesë e BE. Dhe e dimë se çfarë do të thotë kjo në terma ekonomike. E kemi parë të ndodhë, të gjitha vendet që janë bërë pjesë e BE kanë përjetuar rritje të pabesueshme ekonomike. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në BP dhe nuk po flas për një të ardhme të largët.

Ekonomitë tuaja janë të prirura të rriten me shpejtësi. Ne e miratuam planin e rritjes për BP saktësisht për këtë arsye.

BE çel sektorët e vet të ekonomisë për bizneset tuaja, së bashku punojmë për reforma për të pasur një fushë të barabartë loje dhe krahas saj vijnë investimet. Plani i Rritjes i BP synon dyfishimin e PBB rajonale për dekadën e ardhshme, mesazhi im për investuesit sot është i drejtpërdrejtë: Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani.