PUBLIKOHEN FORMACIONET/ Gati ndeshja Serbi-Shqipëri – ekipet mbërrijnë në stadiumin e Leskovacit

Stadiumi i Leskovacit do të presë sot në mbrëmje një ndeshje me tension të lartë mes Serbisë dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Takimi, që nis në orën 20:45, konsiderohet si vendimtar për fatet e dy përfaqësueseve në Grupin K, ku gara për vendin e dytë mbetet e hapur.

Me 8 pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjesh, Shqipëria renditet e dyta në grup, ndërsa Serbia ndodhet një pikë më poshtë, por me një ndeshje më pak. Anglia ka marrë distancë të sigurt në krye, duke lënë kombëtaret ballkanike të luftojnë për një vend në “play-off”.

Ndeshja zhvillohet në një klimë të mbingarkuar sigurie. Autoritetet serbe kanë ndaluar shitjen e biletave në treg të lirë, ndërsa tifozët shqiptarë nuk do të jenë të pranishëm në stadium. Masa të shtuara janë marrë pas incidenteve të shumta të regjistruara në ndeshjet e kaluara nga huliganë serbë.

Në aspektin sportiv, kuqezinjtë zbresin në fushë me një formacion të konsoliduar. Sylvinho i qëndron besnik vijës mbrojtëse me Strakoshën në portë dhe katërshen Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj. Asllani, Shehu dhe Laçi pritet të udhëheqin mesfushën, ndërsa në sulm do të aktivizohen Broja, Daku dhe Uzuni ky i fundit favorit për të nisur në krah, përpara Bajramit.

Në kampin serb, mungesa të rëndësishme si Milinković-Savić, Milenković dhe Lukić i japin një tjetër peshë përgatitjes së skuadrës së Stojković. Vlahović udhëheq repartin ofensiv përkrah Kostić dhe Zivković, në një formacion që mbështetet te përvoja, por që vjen me disa pikëpyetje.

Formacioni zyrtar i Shqipërisë:

(4-3-3): Thomas Strakosha; Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj; Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Lindon Shehu; Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj
Trajner: Sylvinho

Nga ana tjetër Serbia do të luajë si mëposhtë:

Serbia (3-4-1-2): Petrovic; Erakovic, Veljkovic, Pavlovic; Maksimovic, Stankoviç, Zivkovic, Kostic; Samardzic; Vlahovic, Mitroviç Trajner: Dragan Stojkovic