INTEGRIMI/ Do të shqyrtohet ecuria e negociatave – Delegacioni i BE-së zbarkon në Tiranë

Një delegacion i Këshillit të Bashkimit Evropian, i njohur si grupi i punës për zgjerimin (COELA), ndodhet këtë javë në Tiranë, i shoqëruar nga presidenca daneze e Këshillit të BE-së, njoftoi diplomacia evropiane.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e vendeve anëtare do të zhvillojnë takime me autoritetet shqiptare, misionet e shteteve të BE-së, përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe institucioneve të drejtësisë, për të diskutuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Delegacionit të BE-së në Shqipëri, kjo vizitë nënvizon “angazhimin dhe seriozitetin e vendeve të BE-së” për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë, bazuar në merita dhe në zbatimin e reformave të qëndrueshme.

Procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian ka hyrë në një fazë delikate, teksa vendi ka përmbushur të gjitha detyrimet teknike për hapjen e klasterit të fundit – Grupkapitullit 5, që përfshin bujqësinë dhe kohezionin, ka mësuar Albanian Post.

Megjithatë, përparimi nuk është përmbyllur për arsye që lidhen më shumë me “kriterin politik” të Kopenhagës, sesa me përputhshmërinë ligjore me acquis-në e BE-së.

Burime nga delegacionet negociuese, në kushte anonimiteti, i thanë Albanian Post se “procesi teknik është formalizuar dhe përmbyllur”, përmes “dy raundeve të pyetësorëve zyrtarë të dërguar nga Komisioni Evropian” dhe përgjigjeve të dhëna nga pala shqiptare.

Kjo përmbushje nënkupton se Shqipëria ka arritur standardin e kërkuar në kriterin e tretë të Kopenhagës – EU acquis criteria, që lidhet me zotësinë për të zbatuar legjislacionin e BE-së në fushat përkatëse.

Sipas kornizës së zgjerimit të BE-së, procesi i hapjes së një kapitulli kërkon plotësimin e tre kritereve: politik, ekonomik dhe të acquis (trupi i ligjeve dhe rregullave të BE-së – ed.).

Në këtë rast, megjithëse kriteri teknik është përmbushur, shqetësimet e artikuluara politikisht nga Gjermania dhe Holanda, referuar burimeve diplomatike evropiane, për mënyrën e përdorimit të fondeve bujqësore në Shqipëri nuk kanë finalizuar kalimin në fazën vendimmarrëse të hapjes së grupkapitullit.

Burimet diplomatike konfirmojnë se vigjilenca e shtuar e këtyre dy vendeve nuk lidhet më me kapacitetet institucionale apo kornizën ligjore, por me besueshmërinë e institucioneve shqiptare për të menaxhuar fondet bujqësore, çështje që hyn në vlerësimin politik të stabilitetit dhe sundimit të ligjit – pra të kriterit të parë të Kopenhagës.

Në konferencën më të fundit ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, Shqipëria hapi zyrtarisht Grupkapitullin 4 “Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme” – të pestin nga gjithsej gjashtë klasterët që përbëjnë procesin e negociatave me BE-në.

Me këtë hap, Shqipëria ka hapur tashmë 28 nga 33 kapituj të negociatave, duke lënë vetëm një klaster të paçelur: Grupkapitullin 5, që mbulon fushat kyçe të bujqësisë dhe kohezionit.

Sipas kryeministrit Edi Rama, objektivi është që hapja e klasterit të fundit të ndodhë brenda këtij viti.

Por burime evropiane pranë Albanian Post bënë me dije se hapja e këtij klasteri – konkretisht kapitulli mbi bujqësinë dhe peshkimin – po vonon për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Gjermania dhe Holanda lidhur me keqpërdorimin e fondeve bujqësore nga ana e autoriteteve shqiptare.

“Çështja është e tillë për shkak të keqpërdorimit të fondeve bujqësore, kështu thonë diplomatët evropianë”, shpjegon një burim i Albanian Post në Bruksel, duke mos zbuluar detaje të tjera.

Disa burime të tjera joformale diplomatike nga vendet anëtare të BE-së theksojnë për Albanian Post se vlerësimi mbi përdorimin e fondeve dhe kapacitetet institucionale të Shqipërisë është ende në shqyrtim, por procesi i negociatave për hapjen e kapitullit të radhës nuk ka hyrë ende në fazë vendimmarrjeje.

Sipas tyre, është ende herët për të folur për vonesa të shkaktuara nga ndonjë shtet anëtar në veçanti.