ULTIMATUMI/ Trump paralajmëron Hamasin: Do të shkatërrohet plotësisht nëse nuk dorëzon pushtetin në Gaza! Bisedimet për armëpushim zhvendosen në Egjipt

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë ndaj Hamasit, duke thënë për CNN se grupi militant palestinez rrezikon “shkatërrim të plotë” nëse nuk pranon të dorëzojë pushtetin në Gaza. Paralajmërimi vjen teksa Trump po ushtron presion mbi të dyja palët, Izraelin dhe Hamasin, për të pranuar propozimin e tij për armëpushim.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, delegacione nga Hamasi, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë nisur drejt Egjiptit, ku pritet të nisin bisedimet përfundimtare mbi një marrëveshje paqeje bazuar në planin me 20 pika të presidentit Trump. Bisedimet pritet të nisin që nesër.

Trump ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord për një vijë fillestare të tërheqjes, ndërsa armëpushimi do të hyjë në fuqi menjëherë, nëse Hamasi e miraton propozimin. Nga ana tjetër, lideri i opozitës në Izrael ka thënë se Shtëpia e Bardhë është e bindur se marrëveshja është e realizueshme.

Raportime për viktima pavarësisht ndalimit të supozuar të bombardimeve

Megjithëse Trump pretendoi se Izraeli ka ndalur përkohësisht bombardimet në Gaza, raportimet nga spitalet e enklavës tregojnë për një tjetër realitet. Dhjetëra persona janë vrarë gjatë fundjavës në sulme ajrore izraelite, sipas burimeve spitalore në territorin palestinez.