TRONDITET SARANDA! Shpërthim i fuqishëm në lagjen nr.3 – një person gjendet i vdekur në makinë – policia fut vendin në ‘shtetrrethim’; (EMRI, DETAJET)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në qytetin bregdetar të Sarandës. Burime për mediat bëjnë me dije se në lagjen nr.3 të qytetit është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm.

Paraprakisht mësohet se një person është gjetur i vdekur brenda një automjeti. Si pasojë e shpërthimit janë shënuar dëme të mëdha materiale në bizneset aty pranë si dhe automjetet e parkuara.

Policia e Sarandës ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune. Përmes një njoftimi zyrtar, blutë bëjnë me dije se rreth orës 22:50 të kësaj të shtune, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit Isuf Jaçajt.

Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Burime për Newsbomb bëjnë me dije se familja Jaça nuk ishte një emër i panjohur për Policinë, pasi në korrik edhe djalit të Jusuf Jaçajt, Klaus Jaçajt, iu hodh automjeti në erë.

Fatmirësisht Jaçaj nuk ndodhej në automjet në momentin e ngjarjes, ndërkohë që emri i tij është lakuar gjerësisht në media përgjatë verës si pasojë e konfliktit të regjistruar ku mbetën të plagosur shtetasit Gëzim Hajdarajt 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Klaus Jaçaj ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprat penale përkrahje e autorit të krimit dhe moskallëzimi, akuza që lidhen me ngjarjen e 17 Korrikut në Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë dy persona nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.

Ai u arrestua më 24 korrik pasi akuzohet se ka përkrahur Ramadan Canajn, i cili akuzohet si personi që qëlloi me armë ndaj dy të plagosurve.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Sarandë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 22:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të shtetasit I. J. Ky shtetas dyshohet se është edhe personi që ndodhej brenda në automjet i cili si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.