VENDIMI/ GJKKO rikthen në detyrë drejorin e tenderave – Jonaid Myzyrit i hiqet masa e pezullimit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Jonaid Myzyrit për heqjen e masës së pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike.

Me vendimin nr. 641, të datës së sotme (03.10.2025,) trupa gjykuese në GJKKO me kryesuese Etleva Deda ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës ndaluese të vendosur më herët ndaj tij.

Myzyri u pezullua nga detyra si kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike, më datë 30 qershor të këtij viti pas kërkesës së SPAK dhe vendimit të marrë nga GJKKO.

Ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme në qershor për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

SPAK dyshon se Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.

Vendimi:

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Jonaid Myzyri me datë 02.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës ndaluese të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj të hetuarit Jonaid Myzyri”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenet 262/2 dhe 267/2 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 641, datë 03.10.2025, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit Jonaid Myzyri.

2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës ndaluese të sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

3. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palëve sikundër i kanë kryer.

4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brënda afatit ligjor 5 (pesë) ditor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 03.10.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.