Eduard Merkaj është emëruar drejtuesi i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Merkaj zëvendëson në detyrë Florian Sulejmanin, i cili është dorëhequr nga detyra në korrik të këtij viti.
Merkaj ka mbajtur më herët postin e drejtorit të Policisë Kufitare, por ai u largua nga detyra në 2022-in me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në atë kohë, Gledis Nano dhe më pas u transferua te Akademia e Policisë.
Largimi i Merkajt nga detyra erdhi pas skandalit në portin e Durrësit ku nga kontejneri me banane ishin zhdukur 50 arka që mund të kenë pasur kokainë.
8 ditë pasi mbërriti në portin e Durrësit kontejneri me banane u gjet i hapur nga doganieret. Kontejneri ishte porositur nga kompania “Zico Sh.p.k”, e biznesmenit të bananeve Trifon Murataj, i cili jeton në SHBA.
Sa i takon ish-kreut të AMP-së, Florian Sulejmani, ky i fundit pak javë më parë se të jepte dorëheqjen ishte pezulluar nga detyra pasi Prokuroria e Beratit e akuzonte atë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sipas organit të akuzës, Sulejmani, ka transferuar oficerët e policisë gjyqësore në kundërshtim me ligjin.
Çështja më pas kaloi në Tiranë dhe prokuroria e kryeqytetit pushoi hetimin ndaj tij.









