INTERVISTA/ Në prag të takimit me Trump – Netanyahu i gatshëm për armëpushim: Nëse udhëheqësit e Hamasit i japin fund luftës dhe lirojnë pengjet ne do t’i lëmë të lirë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të ishte i gatshëm të lejonte largimin e sigurt të anëtarëve të Hamasit, me kusht që ata të përfundojnë luftën dhe të lirojnë të gjithë pengjet. Komentet i bëri gjatë një interviste për Fox News, në prag të takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Detajet ende duhet të sqarohen,” tha Netanyahu. “Por nëse drejtuesit e Hamasit përfundojnë luftën dhe lirojnë pengjet, do t’u lejojmë të largohen. E kam thënë edhe më parë, por duhet të jetë e qartë – kjo është pjesë e diskutimeve që po zhvillojmë aktualisht.”

Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij kundër përfshirjes së Autoritetit Palestinez në administrimin e Gazës pas luftës, duke theksuar se nuk e konsideron atë si një partner të besueshëm.

Ai konfirmoi gjithashtu se Izraeli po bashkëpunon me ekipin e Trump për hartimin e një plani 21-pikësh që synon përfundimin e konfliktit dhe krijimin e një të ardhmeje të re për Gazën.

“Shpresoj ta realizojmë këtë plan, sepse duam të çlirojmë pengjet tona, të përmbysim pushtetin e Hamasit dhe ta çarmatosim atë, të çmilitarizojmë Gazën dhe të ndërtojmë një të ardhme të re – për Gazën, për Izraelin dhe për gjithë rajonin,” u shpreh Netanyahu.

Çfarë përmban plani 21-pikësh i SHBA për Gazën

Sipas Times of Israel, plani u hartua nga i dërguari special amerikan Steve Witkoff, me ndihmën e ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner. Ai u prezantua në disa vende arabe dhe myslimane gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Plani përfaqëson një ndryshim të madh nga qëndrimi i mëparshëm i Trump, i cili në shkurt kishte përmendur mundësinë e “zhvendosjes” së popullsisë së Gazës. Tashmë, dokumenti mbështet qëndrimin e palestinezëve në territor, rindërtimin e zonës dhe një zgjidhje politike afatgjatë.

Parimet kryesore të planit amerikan për Gazën:

Çmilitarizimi dhe çrrënjosja e ekstremizmit në Gaza, duke e kthyer atë në një zonë paqësore.

Rindërtimi i Gazës në dobi të popullsisë lokale.

Përfundim i menjëhershëm i luftës dhe tërheqje graduale e forcave izraelite.

Lirimi i të gjithë pengjeve brenda 48 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Kthimi i trupave palestinezë dhe lirimi i disa të burgosurve pas lirimit të pengjeve.

Amnisti për anëtarët e Hamasit që pranojnë paqen dhe largim të sigurt për ata që duan të ikin.

Dërgim i përditshëm i ndihmave humanitare, me të paktën 600 kamionë në ditë.

Shpërndarja e ndihmave nga organizata ndërkombëtare, pa ndërhyrje nga Izraeli apo Hamasi.

Qeverisje e përkohshme nga teknokratë palestinezë, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Plan ekonomik për rindërtim dhe punësim të rinjve.

Zonë ekonomike me lehtësi doganore dhe politika të favorshme tregtare.

Nxitje për popullsinë palestineze që të qëndrojë në Gaza.

Përjashtimi total i Hamasit nga pushteti dhe shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake.

Garanci sigurie nga vendet fqinje që Gaza të mos përbëjë më rrezik.

Forcë ndërkombëtare stabilizimi për të mbikëqyrur sigurinë dhe trajnuar policinë palestineze.

Angazhim nga Izraeli për të mos aneksuar Gazën dhe për ta dorëzuar kontrollin tek forcat ndërkombëtare.

Zbatim i pjesërishëm i planit nëse Hamasi refuzon, në zonat që kontrollohen nga ndërkombëtarët.

Garanci për Katarin, me njohje të rolit të tij ndërmjetësues.

Fushatë për çrrënjosjen e radikalizmit, përfshirë dialog ndërfetar dhe ndryshim narrativesh.

Perspektivë e mundshme për shtet palestinez, pas reformimit të Autoritetit Palestinez.

Krijimi i një dialogu politik të përhershëm mes SHBA, Izraelit dhe Palestinezëve.