KUJDES/ Rritet rreziku i mashtrimeve me mesazhe, Eksperti: Mos hapni lidhje të panjohura! Ju grabisin paratë e të dhënat…

Rreziku i mashtrimeve digjitale po rritet, sidomos përmes mesazheve me lidhje të dyshimta. Eksperti i sigurisë kibernetike, Jetmir Rajta, paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin linqet që ju vijnë pasi janë sms që  kanë për qëllim të vjedhin të dhënat personale dhe paratë në llogari.

Paralajmërimet për të pasur kujdes me mesazhet ku marrësve u kërkohen të dhënat personale nuk kanë dhënë efektin e duhur. Së fundi ka një rritje të denoncimeve për grabitje të parave përmes këtyre mesazheve të mbërritura me telefonë apo dhe me emaile.

Me kërkesën për të plotësuar formularë, u janë marrë  të dhënat personale. Por nuk mungojnë rastet kur u kërkohet të paguajnë gjoba të makinave, detyrime të tjera apo dhe postë të cilën nuk e kanë porositur qoftë dhe kur janë në pritje.

Eksperti i sigurisë kibernetike, në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Jetmir Rajta, në një intervistë për Ora News, thotë se është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të kujdesshëm dhe të mos hapin linqet që u vijnë nga mesazhe të nisura prej personave të panjohur

Eksperti thotë se kohët e fundit ka pasur një rritje të mashtrimeve digjitale, ku qëllimi kryesor është vjedhja e të dhënave personale dhe parave.

Për ekspertët mbrojtja e të dhënave personale duhet të konsiderohet e shenjtë për çdo person, sidomos në këtë periudhë kur krimi kibernetik është në rritje.