DESHMIA/ Tritoli në banesën e deputetit demokrat – Xhelal Mziu: S’dyshoj tek asnjë person

Detaje të reja dalin nga shpërthimi me tritol në banesën e deputetit të PD-së, Xhelal Mziu.

Në dëshminë e dhënë për policinë, Xhelal Mziu ka deklaruar se nuk dyshon tek asnjë person.

Deputeti demokrat ndodhej në banesë me bashkëshorten e tij, kur ndodhi shpërthimi i fuqishëm.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dyshime se shpërthimi ka qenë një mesazh për Xhelal Mziun.

Kjo për shkak se sasia e tritolit ishte e vogël dhe se ishte vendosur në pjesën lart të murit rrethues të banesës së ligjvënësit demokrat.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:55 në rrugën “Arjan Sala” dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

“Kamëz/Informacion paraprak

Rreth orës 00:55, dyshohet se në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.