Kreu i Partisë për Bashkimin Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti uroi sot kryeministrin Edi Rama për rizgjedhjen në krye të qeverisë shqiptare dhe i uroi sukses në zbatimin e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti i shprehu kreut të qeverisë përkrahjen e tij në “mbështetje të Shqipërisë evropiane dhe të ecjes pa asnjë ndalesë, me hapa të sigurt dhe të shpejtë, drejt integrimit të plotë evropian”.
“Sot, nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqipëria evropiane dhe ky rrugëtim duhet të mbështetet nga të gjithë”, shkruan ai. Ahmeti shkruan se Shqipëria ka hapur gati të gjithë kapitujt negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka humbur rrugën drejt kryeqendrës evropiane, gjë që paraqet shqetësim të madh.
“Më 19 korrik të vitit 2022, Shkupi dhe Tirana i filluan bashkë negociatat në Bruksel, ndërsa sot , Shqipëria ka hapur gati se të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka humbur rrugën drejt kryeqendrës evropiane.
“Ngecja e Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin evropian dhe rritja e ndikimeve serbo-ruse në vend paraqet shqetësim të madh për ne, bashkë edhe me cenimin e rëndë të barazisë etnike nëpërmjet të rrënimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit nga viti 2001”, shkruan Ahmeti.
Duke ju drejtuar kryeministrit Rama, kreu i BDI-së shton se “përkushtimi yt dhe i Shqipërisë për integrim evropian është shembullor dhe uroj të na shërbejë si nxitje që t’i bashkangjitemi edhe ne Shqipërisë në këtë rrugëtim”.
“Edi, të uroj shëndet e mbarësi në këtë mandat kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për rajonin. Të priftë e mbara ty dhe Shqipërinë”, shkruan Ahmeti.









