KREU I SPAK/ KLP u lë afat 3 javë kandidatëve – Ambasada e SHBA ndjek procesin – emrat e mundshëm për tu përfshirë në garë

Ka nisur paraditen e sotme (17 shtator) mbledhja e këshillit të Lartë të Prokurorisë për të shpallur vakancën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), pasi mandati i drejtuesit aktual Altin Dumani përfundon më 18 Dhjetor.

Të pranishëm në sallë janë 11 anëtarë të cilët votuan “pro” propozimit që data 8 tetor të jetë afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për postin e kreut të ri të SPAK-ut.

Sokol Stojani, si kryetar i Komisionit të Karrierës propozoi që prokurorëve të posaçëm t’u lihet një afat prej 2 javësh për të aplikuar.

Ndërsa anëtar i Vate Staka kërkoi që afati të ishte 3 javë. Në përfundim, anëtarët e KLP-së vendosën që t’u linin 3 javë kohë kandidatëve për të shprehur interesin e tyre për postin.

“Shpallet pozicioni vakant për kreun e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) e cila do të publikohet edhe në faqen zyrtare. Siç u propozua afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 8 tetor 2025 dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë. Hapet votimi. 11 vota pro, asnjë kundër, miratohet”, thotë kryetarja e KLP.

Mësohet se kandidatët do të duhet të paraqesin platformat e tyre në lidhje me mënyrën se si do ta drejtojnë SPAK-un.

Gjithashtu kandidatët do të kalojnë një proces vettingu, pastaj do të merren në pyetje. Por kush janë Prokurorët e Posaçëm që mund të kandidojnë për kreun e ri të SPAK: 

1-Adnan Xholi
2-Anita Jella
3-Alfred Shehu
4-Behar Dibra
5-Bledar Maksuti
6-Doloreza Musabelliu
7-Dorina Bejko
8-Dritan Prençi
9-Edvin Kondili
10-Elida Kaçkini
11-Elvin Gokaj
12-Ened Nakuçi
13-Enkeleda Millonai
14-Klodjan Braho
15-Manjola Kajana
16-Ols Dado
17-Sotir Kllapi
18-Vladimir Mara

Vlen të theksojmë që përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Shqipëri kanë mbërritur sot në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në mbledhjen që zhvillohet sot në hapje të garës për drejtuesin e ri të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Procedura për drejtuesin e ri të SPAK nis 3 muaj para mbarimit të mandatit aktual. Altin Dumanit i mbaron mandati në 18 dhjetor 2025.