LA LIGA/ Barcelona konfirmon stadiumin për ndeshjen ndaj Getafes – ja kur kthehet në ‘Camp Nou’

Barcelona do të luajë përsëri në ‘Estadi Johan Cruyff’ këtë fundjavë, përballë Getafes, pasi nuk ka arritur ende të sigurojë lejet e nevojshme për t’u rikthyer në ‘Camp Nou’.

Katalanasit e nisën sezonin me një fitore të thellë 6–0 ndaj Valencias, në atë që ishte ndeshja e tyre e parë zyrtare në këtë impiant të vogël, ku ishin të pranishëm më pak se 6 mijë tifozë.

Ky numër shënoi edhe rekordin negativ të ndjekjes më të ulët në La Liga në shekullin XXI, duke qenë se federata spanjolle kërkon një kapacitet minimal prej 8 mijë vendesh.

Megjithatë, Barça arriti të marrë një përjashtim për “arsye arkitekturore”.

Në një komunikatë zyrtare të martën, klubi sqaroi:

“FC Barcelona vazhdon të punojë intensivisht për marrjen e lejeve administrative të nevojshme për hapjen e ‘Spotify Camp Nou’ në ditët e ardhshme.

Për këtë arsye, ndeshja ndaj Getafes do të zhvillohet në ‘Johan Cruyff Stadium’.

Klubi falënderon anëtarët dhe tifozët për mirëkuptimin dhe mbështetjen në një proces kaq kompleks e emocionues sa rikthimi në shtëpinë e re.”

Barcelona kishte opsionin të rikthehej në stadiumin ‘Olímpic Lluís Companys’, ku luajti për dy sezone gjatë rindërtimit të ‘Camp Nou’, por vendosi të qëndrojë në Johan Cruyff për të shmangur kostot dhe kërkesat administrative të marrjes me qira të impiantit olimpik.

Javën e kaluar, kjo nuk ishte e mundur për shkak të një koncerti të Post Malone në Montjuïc.

Ende mbetet e paqartë se kur ‘blaugranat’ do të mund të kthehen në shtëpinë e tyre historike.

Sipas njoftimeve më të fundit, rikthimi i mundshëm është parashikuar për sfidën ndaj Real Sociedad-it, më 28 shtator, çka do t’u mundësonte të luanin ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së më 1 tetor, në ‘Camp Nou’.

Nëse kjo nuk realizohet, Barcelona rrezikon të mos zhvillojë asnjë ndeshje tjetër evropiane në stadiumin e vet deri në fund të vitit, pasi rregulloret e UEFA-s kërkojnë që të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve të zhvillohen në të njëjtin impiant.