Seanca e dytë parlamentare e zhvilluar këtë të martë ishte e shkurtër dhe përfundoi brenda pak minutash.
Gjatë saj, mazhoranca socialiste miratoi vetëm emrat e propozuar nga vetë ajo për kryesitë dhe anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare.
Opozita, e cila bojkotoi seancën dhe nuk kishte depozituar emrat e katër kryetarëve dhe shtatë nënkryetarëve të komisioneve, nuk mori pjesë në këtë proces.
Përbërja e komisioneve, që u formua vetëm me praninë e deputetëve të mazhorancës, u miratua me 71 vota.
Kryetari i parlamentit Niko Peleshi lexoi emrat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në shtatë komisionet ku mazhoranca ka kryesinë, duke përfshirë edhe kryetarët e tyre.
Ndërkohë, në katër komisionet ku kryesinë e ka opozita, u lexuan vetëm emrat e nënkryetarëve të PS-së.
Opozita mungoi pothuajse në tërësi ndërsa prezent ishin vetëm vetëm katër deputetë të Partisë së Lirisë, Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë dhe Mesila Doda, e cila është deputete e PDIU-së e dalë nga lista e PD-së në Qarkun e Tiranës ndërsa deputetët e tjerë të Partisë Demokratike bojkotuan seancën.









