Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez i ashpërsoi sot kritikat e tij ndaj veprimeve të Izraelit në luftën 23-mujore me Hamasin, ndërsa Izraeli është përgjigjur duke ndaluar hyrjen në vend te dy ministrave spanjollë të krahut të majtë, sipas AP.
Deklarata e Sanchez erdhi gjatë njoftimit të një sërë masash që ai tha se qeveria e tij po ndërmerrte për të ushtruar presion të mëtejshëm mbi qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe për të adresuar krizën humanitare të shkaktuar nga ofensiva e saj ushtarake në Rripin e Gazës.
“Kjo nuk është vetëmbrojtje, nuk është as sulm – është shfarosje e një populli të pambrojtur. Është një shkelje e të gjitha ligjeve humanitare dhe pavarësisht kësaj, unioni ndërkombëtar nuk po arrin ta ndalojë këtë tragjedi”, tha Sanchez.
“Përveç formalizimit të një embargoje armësh, të cilën qeveria spanjolle tha se ka qenë de facto në fuqi që nga tetori 2023, Spanja do të ndalojë anijet që transportojnë karburant për forcat e armatosura të Izraelit të kalojnë nëpër portet spanjolle dhe do të rrisë ndihmën e saj humanitare drejt Gazës deri në 150 milionë euro në vitin 2026”, tha ai.
Hapa të tjerë përfshinin një premtim për të rritur ndihmën për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, të njohur si UNRWA, dhe për të vendosur një embargo ndaj mallrave të prodhuara në vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
Për më tepër, kushdo që merr pjesë drejtpërdrejt në atë që Sanchez e quajti “gjenocid” në Gazë, nuk do të lejohej të hynte në territorin spanjoll.
“Ne e dimë se të gjitha këto masa nuk do të jenë të mjaftueshme për të ndaluar pushtimin ose krimet e luftës, por shpresojmë se ato do të shërbejnë për të shtuar presionin mbi kryeministrin Netanyahu dhe qeverinë e tij për të lehtësuar disa nga vuajtjet që po përjeton popullsia palestineze”, tha Sanchez.
Në përgjigje, ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Saar tha se Sanchez po përpiqej të largonte vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që prekin Partinë e tij Socialiste dhe i karakterizoi veprimet e qeverisë spanjolle si “antisemite”.









