PROTESTA MASIVE/ Ish-presidenti përballet me drejtësinë – mijëra mbështetës të Bolsonaro mbushin rrugët e Brazilit

Mijëra mbështetës të ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, u mblodhën sot në qytetet kryesore të vendit në një demonstratë force, vetëm pak ditë para se Gjykata e Lartë të japë vendimin përfundimtar për fatin e tij në një proces historik për tentativë për grusht shteti.

Procesi gjyqësor ndaj Bolsonaro dhe shtatë bashkëpunëtorëve të tij ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi i gjyqtarëve pritet të bëhet publik deri më 12 shtator.

Ish-presidenti i krahut të djathtë akuzohet se ka komplotuar për të qëndruar në pushtet, pavarësisht humbjes në zgjedhjet e vitit 2022 ndaj rivalit të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim deri në 43 vjet burg.

Protesta masive në rrugët e Sao Paulos

Protesta më e madhe u zhvillua në orën 15:00 me orën lokale në Avenida Paulista të Sao Paulos, ku morën pjesë edhe figura të njohura të së djathtës braziliane.

“Jemi këtu për të mbrojtur ligjshmërinë dhe vlerat e vendit tonë. Gjyqi ndaj Bolsonaro është një turp,” tha një protestuese 70-vjeçare, e pensionuar.

Presion për amnisti dhe kritika ndaj drejtësisë

Mbështetësit e Bolsonaro-s e konsiderojnë të pashmangshme një dënim dhe po kërkojnë nga parlamenti brazilian të miratojë një projektligj për amnisti, që do të përfshinte qindra persona të dënuar për pjesëmarrjen në protestat e dhunshme të 8 janarit 2023 në kryeqytetin Brasília. Gjatë atyre trazirave, mijëra simpatizantë të Bolsonaro-s sulmuan institucionet shtetërore, duke kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë dhe largimin e Lulës nga pushteti – vetëm një javë pas betimit të tij si president.

Në atë kohë, Bolsonaro ndodhej në SHBA, por akuzohet për nxitje të protestuesve dhe përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Protestuesit mbanin pankarta që kërkonin amnisti dhe sulmonin drejtësinë dhe presidentin Lula. Në disa prej tyre shkruhej: “Faleminderit, president Trump”, në një shenjë mirënjohjeje ndaj ish-presidentit amerikan që kishte kritikuar trajtimin e Bolsonaro-s dhe kishte vendosur taksa ndëshkuese ndaj Brazilit për atë që e quajti “gjueti shtrigash”.

Bolsonaro mohon akuzat

70-vjeçari Bolsonaro, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie dhe i është ndaluar kandidimi për poste publike deri në vitin 2030, e konsideron veten të pafajshëm dhe pretendon se është viktimë e një ndjekjeje politike.