Joni Keta dhe Gentian Ndoi ndodhen në sprintin final për të marrë në dorë fatin e FBI-së shqiptare. Gara për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit është në fazën finale, teksa shtatë kandidatët i janë nënshtruar testit të poligrafit. Kjo makineri konsiderohet ndryshe si “prova e së vërtetës” e ndërtuar dhe krijuar nga njerëzit për të arritur në përfundime konkrete për integritetin e personit.
Interesi është i madh për të mësuar se kush do të jetë shefi i FBI-së shqiptare, vend vakant i lënë nga Aida Hajnaj. Siç raporton VoxNews, testin e poligrafit e kanë kaluar vetëm dy veta dhe bëhet fjalë për Joni Ketën dhe Gentian Ndoin. Edhe pse u përfol gjatë se Gledis Nano do të ishte në krye të këtij institucioni të hetimit, duket se ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka mundur të kalojë poligrafin. Dy kandidatët potencialë janë emrat e sipërpërmendur.
Duhet theksuar se nuk ka ende asgjë zyrtare dhe pas vizitës së Altin Dumanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të shihet se kush do të jetë pasuesi i Aida Hajnajt. Aktualisht është Joni Keta që po drejton BKH-në si i komanduar dhe është pikërisht ai njëri prej kandidatëve që ka kaluar testin e së vërtetës.
Tashmë është komisioni i vlerësimit dhe faza e fundit, verifikimi i pasurisë që do të vulosë përfundimisht fatin e shefit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kujtojmë që në komision kanë qenë prokurorët Arben Kraja, Behar Dibra dhe vetë drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. Fituesi do të përcaktohej pas një gare me 6 faza. Fillimisht ishte ekzaminimi paraprak i aplikimit, vizitat mjekësore, test i njohurive të përgjithshme, teste fizike, ese argumentuese juridike dhe e fundit testi i poligrafit.
Kandidatët që u futën në garë për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Heimit ishin: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Kush janë dy kandidatët?
Joni Keta ka punuar si Oficer i Policisë Gjyqësore për Krimet e Rënda dhe është një ndër të parët që iu bashkua BKH-së pas çeljes së këtij institucioni. Ai ka mbajtur funksionin si zv/drejtor i Aida Hajnaj, ndërsa është kandidat potencial për të qenë zyrtarisht në krye dhe jo i komanduar.
Gentian Ndoi është një emër i njohur në strukturat e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në vend, teksa ka mbajtur poste drejtuese në Policinë e Shtetit. Ai ka qenë Drejtor i Hetimit të Krimeve Ekonomike-Financiare, ndërsa aktualisht është Drejtor i Drejtorisë për Krimet Ekonomike dhe Financiare, në të njëjtin department.









