Presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi sot se Pekini kundërshton përdorimin e forcës për zgjidhjen e konflikteve, duke i bërë thirrje për dialog dhe komunikim si e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.
Deklarata u bë gjatë një takimi në Pekin me presidentin e ri të Iranit, Masoud Pezeshkian, vendi i të cilit ndodhet në qendër të tensioneve ndërkombëtare për shkak të programit të tij bërthamor.
“Përdorimi i forcës nuk është mënyra e duhur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Dialogu dhe komunikimi janë rruga e vetme e qëndrueshme drejt paqes,” u shpreh Xi, sipas televizionit shtetëror kinez CCTV.
Xi Jinping tha se Kina respekton të drejtën e Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, dhe se mbështet një zgjidhje që adreson shqetësimet legjitime të të gjitha palëve të përfshira në çështjen e programit bërthamor iranian.
Kina është një nga partnerët më të ngushtë ekonomikë dhe politikë të Iranit, dhe pozicionimi i saj vjen në një moment kritik kur vendet evropiane po kërkojnë rivendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit.
Xi deklaroi gjithashtu kundërshtinë e Kinës ndaj një nisme të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, të cilat kanë aktivizuar mekanizmin “snapback”, që mund të rikthejë sanksionet ndaj Iranit brenda 30 ditëve.
Këto vende akuzojnë Iranin për shkelje të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që kishte për qëllim kufizimin e programit të tij bërthamor. Në kuadër të saj, një sërë sanksionesh ndërkombëtare ishin pezulluar.
Pas një lufte 12-ditore me Izraelin në muajin qershor, Irani ndërpreu bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së, e cila mbikëqyr programet bërthamore civile.
Gjatë këtij konflikti, Izraeli kishte për qëllim të godiste kapacitetet bërthamore iraniane, ndërsa edhe SHBA ndërmorën një sulm ajror gjatë luftës, sipas burimeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), një aleancë rajonale që përfshin Kinën, Rusinë dhe Iranin, paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për “rishikim apo keqinterpretim” të rezolutës së OKB-së të vitit 2015, e cila sanksionoi marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Në deklaratën përfundimtare të samitit të mbajtur në Tianjin, vendet anëtare theksuan se një rishikim arbitrar i kësaj rezolute do të minonte autoritetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.









