AKUZOHEN PER KORRUPSION/ Në zbatim të masës “detyrim paraqitje” – Sali Berisha e Monika Kryemadhi veçmas u paraqitën sot në SPAK

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje” të vendosur nga gjykata lidhur me dosjen “Partizani”.

Kryedemokrati u prit nga disa deputetë të PD jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Berisha akuzohet se në cilësinë e kryeministrit të kohës, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportive Partizani. Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash.

Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, e caktuar më herët nga Gjykata.

Ish kryetarja e LSI është nën hetim për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë, të njëjtat akuza për të cilat është arrestuar edhe ish-presidenti Ilir Meta, tashmë ish-bashkëshorti i saj dhe aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.

Pasi doli nga SPAK, Kryemadhi tha se pas marrjes së materialeve hetimore, përfshirë 5 CD dhe fashikuj të shumtë, është njohur me letër-porositë nga disa vende, përfshirë SHBA, Britaninë, Zvicrën, Austrinë, të cilat, sipas saj, tregojnë qartazi që ‘SPAK ka vepruar në mënyrë të paligjshme’.