ADMINISTRATA/ Ligji i ri për punonjësit publikë – agjencitë dhe entet rregullatore të pavarura; të varura vetëm tek Rama

Qeveria shqiptare ka hedhur në konsultim publik projektligjin e ri ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’ i cili parashikon reduktimin e kategorive të institucioneve jo-ministrore nga 3 në dy.

Qëllimi sipas draftit është përmirësimi i funksionimit të tyre dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe qeverisë. Nga ky proces pritet edhe rishikimi i pozicionimit të institucioneve aktuale, të ente dhe autoriteteve rregullatore që pritet te përcaktohet nga qeveria.

Një ndryshim i tillë sugjerohet edhe në raportin e fundit të OECD/SIGMA ku thuhet se autoritetet rregullatore janë shumë të shkëputura nga qeveria, dhe kjo krijon mungesë përgjegjësie për performancën e tyre.

“Askush nuk i mban realisht përgjegjës për rezultatet, dhe distanca nga ekzekutivi nuk ndihmon në rritjen e transparencës apo efikasitetit”, thuhet në këtë raport.

Një tjetër risi është kufizimi i institucioneve që varen drejtpërdrejt nga Kryeministri. Në draft theksohet se vetëm institucionet me funksione kushtetuese ose prioritare do të qëndrojnë nën varësinë e Kryeministrit, për të shmangur mbingarkesën e qendrës së qeverisjes

Projektligji synon gjithashtu të zhvendosë vendimmarrjen nga figura e ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm, drejt drejtorëve duke u dhënë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për menaxhimin e fushave të tyre

Çdo ministri, përpara se të propozojë krijimin ose ndryshimin e një institucioni, do të duhet të kryejë analiza të detajuara dhe një prag minimal për numrin e punonjësve, që duhet të ketë një strukturë për t’u konsideruar institucion më vete

Qeveria thotë se kjo reformë do të sjellë më shumë qartësi në strukturë dhe llogaridhënie, ndërsa një pjesë e mirë e propozimeve janë të lidhura drejtpërdrejt me përafrimin me legjislacionin evropian një kusht kyç në procesin e anëtarësimit në BE.