CENIMI I STABILITETIT/ Wadephul kritikon Kinën dhe Korenë e Veriut për tensionet në Indo-Paqësor

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul akuzoi sot Kinën dhe Korenë e Veriut se po kërcënojnë stabilitetin ndërkombëtar përmes veprimeve agresive në rajonin Indo-Paqësor.

“Rregulli është gjithmonë që kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. As në Europë, as në Indo-Paqësor, e askund tjetër në botë”, tha Wadephul gjatë një vizite në “Flotën e 7”-të amerikane dhe një bazë detare japoneze në Jokosuka, në jug të Tokios.

Duke folur për gazetarët, Wadephul theksoi rolin jetik që kanë partneritetet e forta për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ai e përshkroi bazën si strategjikisht të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në Indo-Paqësor dhe vuri në dukje se, së bashku me partnerët e ngushtë të G7-s, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania ndan shqetësimet mbi tensionet në rritje në rajon.

“Flota e 7”-të amerikane është vendosur në Japoni nën një pakt sigurie dypalësh të nënshkruar në vitin 1960 për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit.

Më shumë se 26 000 ushtarë amerikanë jetojnë dhe punojnë në bazën e Jokosukës. Zona e saj e veprimit mbulon 36 vende, dhe deri në 70 anije luftarake, përfshirë një aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse, janë të dislokuara aty në mënyrë të përhershme.

Wadephul paralajmëroi se fuqizimi ushtarak i Kinës dhe përpjekja e saj për t’u bërë lideri botëror teknologjik përmes “big data” dhe inteligjencës artificiale përbëjnë një sfidë për rajonin.

Ai i bëri thirrje Pekinit që të mos ndryshojë status quo-në në ngushticën e Tajvanit, duke theksuar se ndalimi i përdorimit të forcës, i parashikuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, vlen për ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.

Ministri i Jashtëm kritikoi gjithashtu ashpër retorikën dhe manovrat e Koresë së Veriut, të cilat sipas tij po rrisin tensionet.

“Pheniani vazhdon të zgjerojë arsenalin e tij bërthamor, të kryejë testime të raketave balistike në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë me personel ushtarak, duke minuar paqen si në Indo-Paqësor ashtu edhe në Europë”, tha Wadephul.

Ai i quajti aktivitetet e Koresë së Veriut si shkelje të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.