Një tjetër sulm verbal ndaj Ukrainës dhe vendeve perëndimore ka lëshuar Dmitry Medvedev, në vijim të takimeve që zhvilloi dje Donald Trump me Volodymyr Zelensky dhe liderë evropianë në Shtëpinë e Bardhë.
Në një postim në platformën X, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë e cilësoi si “antiruse” dhe “luftënxitëse” të ashtuquajturën Aleanca e Vullnetarëve, duke theksuar se ajo nuk arriti të mbizotërojë ndaj presidentit amerikan në territorin e tij.
Duke vazhduar me një ton ironik, Medvedev foli për “lajkatimin” e Evropës ndaj Trump, ndërsa më pas e vuri në shënjestër personalisht presidentin ukrainas, duke e quajtur “klloun” dhe duke lënë të kuptohet se ai mund të ndryshojë qëndrim “për garancitë dhe territoret” sapo të kthehet në Ukrainë dhe të veshë sërish uniformën ushtarake.
“‘Aleanca e Vullnetarëve’, antiruse dhe luftënxitëse, nuk arriti të mbizotërojë ndaj presidentit amerikan në fushën e tij. Evropa e falënderoi dhe e lajkatoi. Pyetja është: çfarë kënge do të këndojë kllouni i Kievit për garancitë dhe territoret, kur të veshë sërish uniformën ushtarake ngjyrë haki,” shkroi Medvedev.









