Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, mbërriti në Anchorage të Alaskës përpara takimit mes Vladimir Putin dhe Donald Trump, i veshur me një bluzë me mbishkrimin “СССР” – akronimi në gjuhën ruse për Bashkimin Sovjetik.
Ky gjest u interpretua si provokim ndaj Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë ndërsa pamjet tregojnë Lavrovin teksa del nga makina me bluzën me shkrim sovjetik të dukshëm poshtë xhaketës.
Veshja nxiti reagime të ashpra në rrjetet sociale, ku u cilësua si provokim i qëllimshëm dhe një kujtesë e dhimbshme për të kaluarën nën sundimin sovjetik.
Në sfondin e kësaj situate, Presidenti rus Vladimir Putin po udhëton drejt vendit të samitit me një konvoj të madh nën masa të rrepta sigurie.
Takimi me Trumpin, i pari që nga viti 2018, do të mbahet të premten në orën 11:00 sipas kohës lokale, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Ukrainë.
I ftuar nga Trump, Putin përballet me presion ndërkombëtar dhe refuzimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për çdo kompromis që përfshin territor të pushtuar.
Trump ka paralajmëruar se takimi mund të përfundojë shpejt nëse nuk arrihet një qëndrim i përbashkët.









