Partizani nuk e ka mbyllur me afrimet në merkaton e verës. Transferimet e fundit ishin dy afrikanët, Obiero dhe Hjumen që kanë shtuar kualitetin në mesfushë. Vetë drejtori Abilaliaj, ishte i pranishëm në prezantimin e trajnerit Milinkoviç, ndërsa foli për merkaton.
Dy mesfushorët, për të cilët priteshin vetëm testet mjekësore, ishin Obiero dhe Hjumen. Të dy të konkretizuar dhe që pritet të luajnë rol të rëndësishëm në arritjen e objektivave. Abilaliaj ndërkohë zbuloi se klubi është në bisedime edhe me dy profile të tjerë.
Transferimet e fundit ishin për repartin e mesfushës. Dhe pse nuk përjashtohen alternative të reja, pikërisht aty. Fokus të madh ndërkohë ka edhe reparti i sulmit. Me largimin e disa lojtarëve dhe afrimin e Skukës, Garsias dhe Isgandarlit, sërish shfaqet nevoja për sulmues të tjerë. Dëmtimi i rëndë i Kekos, dhe më pas i Skukës që është duke u rikuperuar, nxjerr në pah mangësitë në qendrën e sulmit. Në këtë mënyrë është thuajse e sigurt se do të afrohet një numër 9, që mund të marrë përsipër përgjegjësi.
Deri tani ka qenë Diego Kontreras, që ka zëvendësuar Skukën në stërvitje për skemat e Milinkoviç. Kolumbiani ka dhënë sinjale pozitive me ekipin B ku pritet të jetë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kategorisë së Dytë.









