PLATFORMA KOMUNIKUESE/ Telashe për WhatsApp dhe Telegram – Kompania akuzon Rusinë për bllokim të shërbimeve të saj

Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp, ka thënë të enjten se Rusia po përpiqet t’i bllokojë shërbimet e tij për shkak se aplikacioni ua ka ofruar njerëzve të drejtën për komunikim të sigurt. WhatsApp, i cili është në pronësi të Meta-s, u zotua se do t’i vazhdojë përpjekjet për t’i kthyer shërbimet e aplikacionit të vet edhe në Rusi.

Rusia ka filluar t’i kufizojë disa thirrje në Telegram dhe WhatsApp, duke i akuzuar platformat në pronësi të huaj se nuk po ndajnë të dhëna me organet e rendit në rastet e mashtrimeve dhe terrorizmit.

“WhatsApp është privat, i koduar nga skaji në skaj dhe sfidon përpjekjet e qeverive për të shkelur të drejtën e njerëzve për komunikim të sigurt, prandaj Rusia po përpiqet ta bllokojë atë për mbi 100 milionë qytetarë rusë. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë të mundur komunikimin e koduar për njerëzit kudo, përfshirë në Rusi”, tha WhatsApp në një komunikatë.